“Uji mbi 1 metër, bagëtitë po na ngordhin, Bashkia Dimal s’merr asnjë masë!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.01.2026, 21:20

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e fshatit Goriçan, Njësia Administrative Kutalli, Bashkia Dimal, të cilët raportojnë përmbytje të rënda që po përsëriten për herë të pestë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Sipas banorëve, fshati Goriçan është ndër zonat më të goditura nga përmbytjet në qarkun e Beratit. Ata kanë dërguar edhe pamje video, ku shihet qartë se niveli i ujit ka arritur në mbi 1 metër lartësi, duke përmbytur sera, stalla dhe toka bujqësore. Banorët shprehen se, sipas tyre, kjo është përmbytja më e madhe e 100 viteve të fundit.

Në video, banorët ndodhen në fermën e një prej tyre, Krenar Sule, i cili ka në pronësi mbi 1 hektar sera për prodhim perimesh si dhe stalla me bagëti. Ai deklaron se dëmet janë shumë të mëdha, si në prodhimet bujqësore ashtu edhe në ushqimin blegtoral, i cili është shkatërruar plotësisht nga uji.

Sipas tij, aktualisht 40 viça dhe rreth 190 krerë dele e qengja kanë mbetur pa ushqim prej ditësh, pasi rezervat janë dëmtuar nga përmbytja dhe fermerët nuk kanë më mundësi financiare për t’i blerë sërish. Ai thekson se kjo situatë rrezikon seriozisht jetesën e familjeve që mbahen vetëm nga bujqësia dhe blegtoria.

Banorët shtojnë se në fshat janë përmbytur rreth 60–70 hektarë sera të mbjella me perime, duke shkatërruar jo vetëm sezonin e kaluar, por edhe atë aktual. Ata shprehen se të gjithë banorët e fshatit kanë pësuar dëme dhe ndodhen në gjendje shumë të vështirë ekonomike.

Sipas denoncuesve, Bashkia e Dimalit nuk ka marrë asnjë masë, as ka ofruar ndihmë emergjente, qoftë edhe për furnizimin minimal me ushqim për bagëtitë e bllokuara në stalla.

Banorët kërkojnë ndihmë urgjente nga shteti, duke apeluar që kjo situatë të mos neglizhohet më, pasi dëmet janë kolosale dhe rrezikojnë falimentimin e dhjetëra fermerëve dhe blegtorëve të zonës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit