Trump paralajmëron lideren e re të Venezuelës: Nëse s’bën atë që është e drejtë, do e paguajë më shtrenjtë se Maduro!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.01.2026, 22:21

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj udhëheqëses së re të Venezuelës, Delcy Rodríguez, duke sugjeruar pasoja të rënda nëse ajo vijon të refuzojë kërkesat e Shteteve të Bashkuara, pas operacionit amerikan që çoi në kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.

Në një intervistë për revistën The Atlantic, Trump deklaroi se Rodríguez do të “paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta edhe më të madh se Maduro”, nëse, sipas tij, ajo nuk “bën atë që është e drejtë”. Ai shtoi se administrata e tij nuk do të tolerojë atë që e përshkroi si 'refuzim sfidues të ndërhyrjes amerikane'.

Duke mbrojtur këtë qasje, Trump u shpreh se ndryshimi i regjimit dhe rindërtimi i vendit do të ishin më të mirë se situata aktuale në Venezuelë, duke shtuar se “më keq se kaq nuk mund të shkojë”.

Deklaratat e Trump vijnë një ditë pas një njoftimi të papritur, sipas të cilit forca amerikane kanë kryer një operacion për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Mar-a-Lago, Trump tha se një ekip i emëruar nga SHBA do të “drejtojë Venezuelën” përkohësisht, derisa të stabilizohet udhëheqja politike e vendit.

Ai gjithashtu premtoi rikthimin e investimeve amerikane në sektorin energjetik të Venezuelës, vend që zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë, por që ndodhet në krizë të thellë ekonomike.

Sipas The Atlantic, Trump e përshkroi politikën e tij të jashtme si një version të modernizuar të Doktrinës Monroe, politikë e shekullit XIX që kundërshtonte ndikimin europian në hemisferën perëndimore, të cilën ai e quajti “Doktrina Donroe”.

Presidenti amerikan la të kuptohet se Venezuela mund të mos jetë rasti i fundit i presionit amerikan, duke hapur mundësinë e ndërhyrjeve të tjera edhe jashtë Amerikës Latine. Si shembull, ai përmendi sërish interesin e tij për Groenlandën, territor gjysmë-autonom i Danimarkës dhe aleate e NATO-s.

“Na duhet Groenlanda, absolutisht”, citohet të ketë thënë Trump, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare dhe pozicionin strategjik të saj.

Deri më tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me këto deklarata.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit