Teksa së fundmi SHBA ndërmori një sulm ushtarak ndaj Venezuelës, ku u ndalua dhe presidenti Nicolas Maduro, një deklaratë e këtij të fundit e bërë disa muaj më parë për shqiptarët është rikthyer përsëri në vëmendje.
Disa muaj më parë, Maduro akuzoi drejtpërdrejt mafian shqiptare, në bashkëpunim me autoritetet amerikane, se po vepronin për destabilizimin e qeverisë së tij, akuza të cilat janë mohuar nga SHBA-të.
“Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin, dërgoi disa nga mercenaret e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Mafia shqiptare është kapur, ashtu sikur raportohet. Ne i kemi sekuestruar tre telefonë dhe që të tre po bien. Mafia shqiptare po dërgon në Ekuador trafikantë droge shqiptarë dhe kolumbianë, edhe në Novoa në Ekuador,” deklaronte Maduro.
Sot, prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka njoftuar se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë zyrtarisht të akuzuar në Gjykatën e Distriktit Jugor të Nju Jorkut, për akuza që lidhen me veprimtari të rënda kriminale që prekin drejtpërdrejt sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Mes akuzave janë konspiracion për narkoterrorizëm, konspiracion për importim të kokainës në SHBA, posedim armësh automatike dhe pajisjesh shkatërruese, si dhe konspiracion për përdorimin e tyre kundër interesave amerikane.