Atentat në Moskë: Vritet gjenerali i lartë rus, i kishin vendosur tritol poshtë makinës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.12.2025, 19:16

Një gjeneral i lartë rus ka humbur jetën këtë të hënë në Moskë, pasi makina e tij shpërtheu nga një bombë, në atë që autoritetet ruse e cilësojnë si atentatin e tretë ndaj një zyrtari të lartë ushtarak brenda pak më shumë se një viti.

Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, viktima është gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, 56-vjeç, drejtues i Drejtorisë së Trajnimit Operacional në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse. Ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi.

Zëdhënësja e institucionit hetimor, Svetlana Petrenko, bëri me dije se po hetohen disa pista, ndër to edhe mundësia që atentati të jetë organizuar nga shërbimet sekrete ukrainase. Deri tani, Ukraina nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë ngjarje.

Kremlini konfirmoi se presidenti Vladimir Putin është informuar menjëherë për vrasjen e Sarvarovit, i cili kishte marrë pjesë më herët në luftimet në Çeçeni dhe në operacionet ushtarake ruse në Siri.

Që nga nisja e luftës në Ukrainë rreth katër vite më parë, Moska ka akuzuar vazhdimisht Kievin për atentate ndaj zyrtarëve ushtarakë dhe figurave publike në territorin rus, akuza që Ukraina i ka pranuar vetëm në disa raste të veçanta.

Një vit më parë, një tjetër gjeneral rus u vra nga një bombë e vendosur në një skuter elektrik pranë banesës së tij, ndërsa në prill të këtij viti një oficer tjetër i lartë humbi jetën nga një shpërthim në makinën e tij, jashtë Moskës.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të larta mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për operacione të fshehta, sabotime dhe sulme larg vijës së frontit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit