SPAK ka ndërmarrë një operacion të gjerë pas goditjes së një grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët akuzohen se përmes kërcënimeve, shantazheve dhe pengmarrjes detyronin sipërmarrës të tjerë të tërhiqeshin nga garat publike të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas hetimeve, pas largimit të konkurrentëve, tenderat përfundonin duke u fituar nga kompanitë e lidhura me dy biznesmenët.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë autorizuar kontrolle personale dhe banesash për disa persona të dyshuar, mes tyre Gëzim Toska, Renato Hristiç, Elon Ciko, Elgerti Bixha, Kreshnik Tërnova, Arjola Koromani dhe Endri Merkaj, si dhe subjekti tregtar “Merkaj 3”. Paralelisht, kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, si edhe të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj Hava Delibashi dhe katër personave të tjerë nën hetim.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar telefona celularë, pajisje kompjuterike dhe materiale të ndryshme që pritet t’i shërbejnë hetimit, të cilat janë dërguar për ekspertim. Sipas SPAK, grupi kriminal dyshohet se ka rrëmbyer për disa orë biznesmenin Gerond Meçe, duke e kërcënuar që të hiqte dorë nga ankimet për procedura tenderuese. Hetimet tregojnë gjithashtu se, me ndihmën e zyrtarëve të AKSHI-t, kriteret e tenderave përshtateshin në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar kompanitë e Ermal Beqirit, ndërsa dyshohet se përmes këtyre skemave janë pastruar miliona euro.