Shqipëria kampione e emigrimit në Ballkan, 44% duan të largohen

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.12.2025, 09:25

Shqipëria renditet në vitin 2025 si vendi me prirjen më të lartë për emigrim në Rajon, sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit. Rreth 44% e qytetarëve të anketuar shprehen se do të dëshironin të jetonin ose të punonin jashtë vendit, një nivel që e vendos Shqipërinë mbi mesataren rajonale dhe në të njëjtin pozicion me Maqedoninë e Veriut. Edhe pse Kosova dhe Bosnja shënojnë përqindje më të ulëta, përkatësisht 35% dhe 34%, dëshira për largim mbetet e lartë në të gjithë rajonin, duke reflektuar një fenomen të qëndrueshëm migrimi.

Ajo që e dallon Shqipërinë është fakti se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve e shohin emigrimin si zgjidhje përfundimtare. Rreth 18% e të anketuarve deklarojnë se do të largoheshin pa plane për t’u kthyer, një nga përqindjet më të larta në Ballkan, në nivel të ngjashëm me Serbinë. Faktorët kryesorë lidhen me pabarazitë ekonomike, diferencat e mëdha në paga dhe standard jetese me vendet e Bashkimit Europian, si dhe mundësitë e kufizuara për punë cilësore dhe zhvillim profesional brenda vendit, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar.

Pasojat e emigrimit të lartë po reflektohen drejtpërdrejt në tkurrjen e popullsisë. Në vitin 2025, Shqipëria numëronte 2,363,314 banorë, me një rënie prej mbi 27 mijë personash brenda një viti, ose –1.2%, norma më e lartë në Rajon sipas të dhënave të Eurostat. Tkurrja është veçanërisht e fortë në grup-moshën deri 30 vjeç, ku popullsia 15–29 vjeç është reduktuar me rreth 45% që nga viti 2011. Situata përkeqësohet edhe nga rënia historike e lindshmërisë, me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua, ndër më të ulëtat në Europë dhe shumë poshtë nivelit të zëvendësimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit