Përparim Billa, i njohur edhe me nofkën “Rimi”, një shtetas shqiptar i dënuar në Shtetet e Bashkuara në kuadër të operacionit të koduar “Shqiponja e Zezë”, pritet të akuzohet zyrtarisht më 18 dhjetor nga autoritetet ekuadoriane për përfshirje në krim të organizuar dhe trafik droge. Sipas gazetës ekuadoriane PRIMICIAS, Billa ishte një nga 26 personat e akuzuar në hetimin shumëvjeçar të FBI-së, i cili goditi një rrjet kriminal shqiptar me shtrirje në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Holandë, Kanada dhe SHBA. Ai u shpall fajtor më 1 shtator 2009 për kontrabandë cigaresh, një aktivitet që siguronte të ardhura të qëndrueshme për rrjetin kriminal.
Operacioni “Shqiponja e Zezë” zbuloi një organizatë kriminale transnacionale të përfshirë në trafik droge, armësh, kontrabandë cigaresh dhe pastrim parash, ku figura kryesore ishin Kujtim Lika, i njohur si “Timmy”, dhe Myfit Dika, i njohur si “Mike”. Gjatë hetimeve u sekuestruan mijëra pilula ekstazie, heroinë, metamfetaminë, si dhe armë zjarri. Dokumentet publike në Shqipëri tregojnë se Përparim Billa figuron si administrator i kompanisë “LOV TAXI”, e themeluar më 26 maj 2023 në Tiranë, e cila ushtron aktivitet në transportin e pasagjerëve dhe shërbimin e taksive.
Pas përfundimit të dënimit në SHBA, Billa u zhvendos në Ekuador, ku në janar 2013 u regjistrua në Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme (SRI) si person fizik për tregti me shumicë të frutave, perimeve dhe bishtajoreve, duke hapur edhe një biznes në zonën Avenida República de El Salvador në Quito. Ky aktivitet, së bashku me numrin e identifikimit tatimor (RUC), u mbyll në vitin 2022. Të dhënat doganore tregojnë gjithashtu se ai kishte lidhje tregtare me një kompani të regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes së cilës u realizua një import në shtator të vitit 2020, ndërsa në vitin 2025 emri i tij u shfaq në dokumente gjyqësore në Ekuador që lidhen me zgjerimin e mafies ballkanike në Amerikën Latine.
