Gjykata e Elbasanit ka vendosur sot lirimin nga burgu të 16 personave të arrestuar dy ditë më parë, në kuadër të hetimeve për ndotjen masive të mjedisit nga dy kompani ferrokromi. Seanca gjyqësore u zhvillua rreth orës 12:30 dhe zgjati disa orë me dyer të mbyllura.
Para trupit gjykues u paraqitën 9 të huaj dhe 7 shqiptarë, në role drejtuese, teknike dhe punonjës, mes tyre edhe administratori korean, Juncheol Chung, 64 vjeç. Gjykata konsideroi të paligjshme masat e arrestit në burg dhe vendosi për të gjithë të arrestuarit masën e sigurimit personal ‘Detyrim paraqitje’. Një prej tyre do të ketë gjithashtu ndalim për daljen jashtë shtetit.
Operacioni policor u zhvillua më 14 dhjetor, brenda ambienteve të kompanive “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk, të cilat kryenin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut. Hetimi zbuloi se djegia e mbetjeve të ferrokromit kryhej natën, në qiell të hapur dhe brenda oborrit të kompanive, duke shkaktuar ndotje të rëndë mjedisore për një periudhë të paktën dyvjeçare.
Përveç 16 të arrestuarve, policia ka shpallur në kërkim edhe 8 aksionarë të dy kompanive, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë ndotjen e ajrit, ujërave dhe tokës, fshehjen e të ardhurave, punësimin e paligjshëm dhe pastrimin e parave.
Autoritetet njoftuan se kompanitë nuk kanë respektuar ligjet mjedisore dhe standardet e menaxhimit të mbetjeve, pasi brenda ambienteve të punës nuk janë gjetur pajisje për filtrimin e substancave ndotëse.
Si pasojë e shkeljeve masive, policia vendosi dy gjoba me vlerë totale 13 milionë lekë – 3 milionë për njërën kompani dhe 10 milionë për tjetrën. Përveç gjobave, aktiviteti i dy kompanive është pezulluar deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore.