Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur dyshime serioze se zv/kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka pasur rol kyç në orientimin e fondeve publike drejt kompanive të caktuara, përmes të paktën shtatë procedurave tenderuese të lidhura me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Të martën, më 16 dhjetor 2025, SPAK dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për autorizimin e arrestimit të Ballukut, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në hetimet për korrupsion në nivelet më të larta të qeverisjes. Në dokumentin drejtuar deputetëve, prokurorët shprehen se ekzistojnë dyshime të bazuara se ministrja ka manipuluar procedurat për të paktën shtatë tendera të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Këto dyshime i shtohen akuzave të mëparshme ndaj Ballukut për tenderin me vlerë rreth 180 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
Sipas të dhënave zyrtare të prokurimit publik, shtatë procedurat në fjalë janë zhvilluar gjatë vitit 2021. Gjashtë prej tyre janë shpallur në të njëjtën ditë, më 13 gusht 2021, ndërsa procedura e fundit në tetor të po atij viti. Në total, fondi limit për këto tendera kap vlerën mbi 16 miliardë lekë të reja, ose rreth 160 milionë dollarë amerikanë.
Fituesit e këtyre procedurave përfshijnë kompani të njohura në sektorin e ndërtimit, të cilat rezultojnë të kenë përfituar pjesën më të madhe të fondeve publike për Unazën e Tiranës. Mes tyre përmenden “Salillari” e Pëllumb Salillarit, “Alko Impeks” e Arbër Abazit, si dhe “2T”, ku aksioner është Artan Sako, vëllai i kryebashkiakut socialist të Tepelenës, Gramoz Sako.
Shtatë tenderët nën hetim
Procedurat e dyshuara përfshijnë:
1.“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”
Shpallur në dt. 29.10.2021
Fondi limit: 2.375.552.033 lekë të reja
Fitues: “Salillari”
2.“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”
Shpallur në dt. 13.08.2021
Fondi limit:2.485.599.781 lekë të reja
Fituesi: “4 A-M sh.p.k – Ed konstruksion sh.p.k – IDK konstruksion sh.p.k”
3.Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana
Shpallur në dt. 13.08.2021
Fondi limit: 2.559.318.901 lekë të reja
Fituesi: ALB-STAR
4.Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
Shpallur në dt. 13.08.2021
Fondi limit: 2.096.958.794 lekë të reja
Fitues: Euroteorema Peqin shpk – “PE-VLA-KU” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk
5.Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
Shpallur në dt. 13.08.2021
Fondi limit:1.939.309.894 lekë të reja
Fitues: “G.P.G. Company” – ‘”Senka” shpk
6. Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
Shpallur në dt. 13.08.2021
Fondi limit: 1.816.355.589 lekë të reja
Fitues: Gjoka Konstruksion
7.Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Shpallur në dt. 13.08.2021
Fondi limit: 2.353.597.373 lekë të reja
Fitues: ALKO-IMPEX General Construcion – 2 T
SPAK dyshon se këto procedura janë orientuar në mënyrë të paligjshme, duke krijuar një “tortë” të madhe fondesh publike që është ndarë mes një rrethi të kufizuar kompanish.