Në një artikull investigativ të publikuar nga mediat italiane, zbardhen detaje të reja mbi një rrjet të gjerë trafiku droge në Itali, ku sipas autoriteteve, një rol kyç dyshohet se është luajtur edhe nga shtetas shqiptarë, në bashkëpunim me klanet historike të mafias së Foggias.
Në qendër të hetimit ndodhet 36-vjeçari Shaban Shima, shtetas shqiptar i vendosur prej vitesh në qytetin e Foggias. Sipas prokurorisë italiane, ai konsiderohet si një nga figurat kryesore të furnizimit me lëndë narkotike, kryesisht kokainë dhe hashash, për grupe kriminale të lidhura me të ashtuquajturën “Società Foggiana”, një nga organizatat më të fuqishme mafioze në jug të Italisë.
Nga përgjimet telefonike dhe ambientale, të cituara në artikullin e mediave italiane, rezulton se Shima zhvillonte takime dhe biseda direkte me persona të lidhur me kupolën e mafias lokale. Në disa raste, këto kontakte janë zhvilluar në ambiente publike në Foggia, të cilat sipas hetuesve përdoreshin si pika takimi për pazare droge dhe koordinim aktivitetesh kriminale.
Autoritetet italiane dyshojnë se rrjeti i drejtuar nga Shima ishte në gjendje të hidhte në treg sasi të mëdha droge, nga 5 deri në 10 kilogramë për çdo furnizim, me një qarkullim që arrinte dhjetëra mijëra doza në muaj dhe fitime që, sipas vlerësimeve, shkonin deri në qindra mijëra euro.
Hetimi ka nxjerrë në pah edhe përfshirjen e disa shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët dyshohet se vepronin si bashkëpunëtorë në transport, shpërndarje dhe menaxhim të parave të përfituara nga trafiku i drogës. Sipas mediave italiane, paratë transferoheshin edhe jashtë Italisë, përfshirë drejt Shqipërisë, përmes kanaleve të paligjshme dhe personave të besuar.
Operacioni i gjerë i karabinierëve çoi në arrestimin e 24 personave, mes tyre edhe disa shtetas shqiptarë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shtrirjen e rrjetit dhe lidhjet e tij ndërkombëtare. Autoritetet italiane theksojnë se bashkëpunimi mes grupeve shqiptare dhe mafias vendase ka qenë një nga elementët që e ka bërë këtë trafik veçanërisht të rrezikshëm dhe të strukturuar.