Vlora nën ‘censurë’: Pse Brunilda Mersini zgjodhi luftën me gazetarët në vend të transparencës?

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 16.12.2025, 21:02

Vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini, duket se ka hyrë me shpejtësi në një betejë që zakonisht e nisin politikanët kur gjërat nuk po shkojnë siç duhet: luftën kundër mediave, portaleve dhe gazetarëve.

E ekspozuar çdo ditë në portale, televizione dhe rrjete sociale, Mersini nuk ka zgjedhur transparencën apo sqarimin publik, por rrugën më të shkurtër dhe më të rrezikshme për një funksionar publik: ankesën dhe presionin ndaj gazetarisë. Përmes daljeve të saj televizive, ajo është shfaqur e shqetësuar nga mënyra se si mediat dhe portalet raportojnë, duke sugjeruar se po dëmtojnë shoqërinë, biznesin dhe imazhin e qytetit.

Në thelb, mesazhi është i qartë: Problemi nuk janë faktet, por ata që i publikojnë.

Kryebashkiakja ka shkuar edhe më tej, duke hedhur idenë se ligji i mediave duhet të marrë nisma, pasi sipas saj disa raportime krijojnë ndikime negative dhe lidhje të padëshiruara. Një deklaratë që tingëllon më shumë si paralajmërim sesa si shqetësim institucional. Sepse kur pushteti fillon të flasë për “rregullim” të medias, zakonisht nuk synon përmirësimin, por kontrollin.

Ironia është se këto reagime vijnë pikërisht në një kohë kur në hapësirën publike po dalin çdo ditë informacione, denoncime dhe pyetje pa përgjigje. Dhe sa më shumë që këto “të palara” dalin në dritë, aq më e madhe duket nervozizmi i kryebashkiakes.

Madje, burime për JOQ Albania bëjnë me dije se Mersini ka vendosur edhe standarde të reja për gazetarinë pasi sipas saj, përdorimi i telefonit për intervista nuk të bën as gazetar dhe as operatorë. Një mendim interesant, sidomos në një epokë ku shumë nga aferat dhe skandalet më të mëdha të pushtetit janë zbuluar pikërisht nga regjistrime të thjeshta. Duket se për kryebashkiaken, forma ka më shumë rëndësi se përmbajtja, ndërsa kamera vlen më shumë se e vërteta.

Historia ka treguar se kur një drejtues nis të sulmojë median që në muajin e parë të mandatit, zakonisht e di që pyetjet do të shtohen dhe përgjigjet do të mungojnë.

Sulmi ndaj mediave, censura e nënkuptuar dhe etiketimi i gazetarëve janë tipare që nuk i shërbejnë demokracisë, por i përkasin modeleve të konsumuara autoritare, ku pushteti kërkon heshtje, jo llogaridhënie.

Vlora nuk ka nevojë për një kryebashkiake që frikësohet nga mikrofoni apo kamera e telefonit. Ka nevojë për një drejtues që e di se media nuk është armik, por pasqyrë. Dhe pasqyrat nuk prishen sepse tregojnë të vërtetën, prishen vetëm kur dikush nuk e duron dot atë që sheh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit