Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës së një këmbësori ka ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor Tapizë–Fushë Krujë.
Viktima është identifikuar si 62-vjeçari me iniciale N.Z, i cili ka vdekur në vend nga përplasja.
Sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania nga qytetarë që ndodheshin në vendngjarje, një automjet që lëvizte me shpejtësi shumë të lartë ka përplasur këmbësorin, duke e marrë trupin e viktimës për rreth 100 metra. Dëshmitarët pretendojnë se mjeti po udhëtonte me mbi 200 km/h në momentin e aksidentit. Këto janë deklarime të qytetarëve dhe mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet.
Pamjet e dërguara në redaksinë tonë tregojnë viktimën të shtrirë në mes të rrugës, ndërsa zona është rrethuar nga shërbimet e policisë.
Ndërkohë, sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 18:45, në aksin rrugor Tapizë–Fushë Krujë, automjeti me drejtues shtetasin K. M., rreth 19-vjeç, ka aksidentuar këmbësorin N. Z., rreth 62 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.