8.5 km e Unazës së Madhe 170 mln €! Balluku në hetim për 7 lote të Unazës

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 16.12.2025, 16:43

Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të masës së pezullimit nga detyra ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet ndaj saj, duke e marrë nën hetim për të gjitha procedurat e prokurimit që lidhen me Unazën e Madhe të Tiranës, të zhvilluara gjatë periudhës kur ajo ushtronte kompetencat përkatëse.

SPAK bëri me dije se Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së veprës penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në shtatë procedura të tjera prokurimi publik. Këto procedura kanë si objekt projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë punimet nga Sheshi Shqiponja deri te Lumi i Tiranës, segmentet rrugore drejt Bulevardit të Ri, ndërtimin e urave mbi lumin Tirana, si dhe katër lote të Unazës së Jashtme të Tiranës.

"Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt: “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7," njoftoi SPAK në kërkesën për heqjen e imunitetit.

Sipas të dhënave zyrtare, shtatë lotet e Unazës së Jashtme kanë një gjatësi totale prej rreth 8.5 kilometrash dhe janë tenderuar me një vlerë të përgjithshme prej rreth 170 milionë eurosh. Në këtë kuadër, SPAK dyshon për paracaktim të procedurave të prokurimit në këtë vlerë financiare, çka e vendos zëvendëskryeministren përballë një procesi të gjerë hetimor.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çështja pritet të zgjerohet më tej, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e shtimit të akuzave të tjera. Balluku ka pasur në administrim një pjesë të konsiderueshme të fondeve publike për projekte infrastrukturore që prej vitit 2019, periudhë e cila është tashmë në fokus të verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit