Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka ndërmarrë një aksion në zonën e Kodrës së Diellit lidhur me dyshimet për abuzime me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Operacioni vjen pas hetimeve intensive të Prokurorisë së Posaçme SPAK për procedurat e dyshimta tenderuese të zhvilluara nga institucioni.
Si pjesë e këtij hetimi, SPAK ka lëshuar urdhër-arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Kërçanaj, për administratorin Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiraj. Konkretisht, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar për Mirlinda Kërçanaj masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasin dhe Ermal Beqiraj është vendosur masa “arrest me burg”.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Kërçanaj, u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimit për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton. Hetimi i SPAK-ut përfshin 12 procedura tenderuese me vlera të konsiderueshme që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme, ku dyshohet se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin, duke u mundësuar fitimin e miliona eurove.
Hetimet kanë zbuluar se Mirlinda Karçanaj dyshohet të ketë favorizuar disa kompani të caktuara gjatë zhvillimit të tenderave, duke krijuar një situatë oligopoli dhe duke anashkaluar procedurat e rregullta të prokurimit publik. Përveç kësaj, ajo akuzohet për shpërdorim detyre dhe manipulim të dokumentacionit zyrtar për të lehtësuar fitimin e tenderave nga kompanitë e preferuara.
Nga ana tjetër, Ermal Beqiri dyshohet se ka përdorur ndikimin e tij për të siguruar që kompanitë e tij, përfshirë “Soft & Solution” dhe “Horizon”, të fitonin tendera të majmë. Ai dyshohet gjithashtu për krijimin e strukturave në hije për të kontrolluar procesin e tenderave dhe për përfitime financiare personale, duke përfshirë manipulimin e kritereve teknike dhe administrative për kompanitë konkurrente.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese me vlera të konsiderueshme, që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore, ku dyshohet se kriteret janë paracaktuar nga kompanitë pjesëmarrëse për të përfituar miliona euro, ndërsa për Ergys Agasin është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.