Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të pazakontë që, sipas tij, ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e 'Ali Demit' në Tiranë.
Sipas dëshmisë së tij, dy gra dyshohet se kanë lejuar një fëmijë të vogël t’i vinte flakën një peme të vogël pranë parkut së zonës. Qytetari shprehet se, sapo ka konstatuar situatën, ka ndërhyrë për të fikur zjarrin dhe ka këshilluar fëmijën me qetësi.
Por, sipas tij, ndërhyrja e tij nuk është pritur mirë. Ai shprehet se është përballur me reagim të ashpër nga dy gratë, të cilat i kanë kërkuar llogari pse kishte fikur zjarrin dhe i kanë thënë të shikonte punët e tij.
Qytetari ka dërguar edhe një video në redaksinë tonë, ku shihet teksa debaton me dy zonjat. Në pamje dëgjohet se njëra prej tyre e kërcënon verbalisht, duke pretenduar se ka djalin “shef policie”.
Në mesazhin e tij drejtuar JOQ Albania, qytetari shprehet se veprimi i tij ka qenë i motivuar vetëm nga përgjegjësia qytetare dhe shqetësimi për sigurinë, duke theksuar se nëse raste të tilla nuk ndalohen në moment, mund të përfundojnë në pasoja më serioze.
Ai shton se pasi e ka filmuar situatën, të dyja gratë janë larguar nga vendngjarja, ndërsa ai është larguar pasi është siguruar që zjarri ishte shuar plotësisht.