Një gjeneratë e re nacionalistësh serbë, e lidhur ideologjikisht dhe operacionalisht me Rusinë, po përgatitet për konflikte të mundshme në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë dhe Kosovë, raporton gazeta britanike The Telegraph.
Sipas raportimit, qindra militantë serbë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar përkrah forcave ruse, të shtyrë nga bindja se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë në të ardhmen duke i ndihmuar në rikthimin e territoreve të humbura nga Serbia, përfshirë Kosovën. Këta luftëtarë, mes tyre edhe veteranë të luftërave të viteve ’90 në ish-Jugosllavi, po përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj serbë, duke u ofruar pagesa të larta dhe duke promovuar ideologji nacionaliste.
Nacionalistët aktivë në platforma si TikTok, Telegram dhe rrjetin rus VKontakte publikojnë pamje nga fronti i luftës në Ukrainë, duke e paraqitur pjesëmarrjen si heroike dhe fitimprurëse. Disa rekrutues ofrojnë pagesa fillestare deri në 23 mijë funte dhe paga mujore rreth 2,500 funte shuma joshëse për të rinjtë në zona me papunësi të lartë dhe paga mesatare rreth 500 funte.
Ligjet në Serbi dhe Bosnjë ndalojnë luftimin për ushtri të huaja dhe parashikojnë dënime deri në pesë vjet burg, por zbatimi i tyre mbetet i kufizuar.
Një nga figurat më të përmendura është Dario Ristiq, nacionalist serb që u plagos rëndë duke luftuar në Ukrainë në njësitin rus të njohur si “Arinjtë nga Permi”. I njohur në luftë me nofkën “I shpejti”, ai mori pjesë në operacione me snajper dhe dronë në zona si Avdiivka.
Ristiq fitoi ndikim të konsiderueshëm në rrjetet sociale, ku ka mbi 10 mijë ndjekës, duke promovuar mesazhe nacionaliste dhe duke frymëzuar të rinjtë. Pas kthimit në Bosnjë, ai u arrestua në Aeroportin e Sarajevës për pjesëmarrje në një njësi të huaj paraushtarake, por më pas u lirua dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak në pritje të gjyqit.
Autoritetet dhe analistët e sigurisë e konsiderojnë atë një rrezik të vazhdueshëm për shkak të ndikimit të tij online dhe aftësive të fituara në front.
Përveç Ristiqit, The Telegraph përmend edhe figura të tjera si Davor Saviçiq, i njohur si “Ujku”, ish-anëtar i njësitit famëkeq paramilitar “Tigrat e Arkanit”. Saviçiq ka luftuar përkrah forcave ruse në Krime, Siri dhe Ukrainë, dhe sipas raportimeve, ka qenë i lidhur me strukturat e inteligjencës ushtarake ruse (GRU).
Nën drejtimin e tij, dyshohet se janë krijuar kompani fasadë për të ndihmuar rekrutimin dhe lëvizjen e vullnetarëve të huaj, duke shmangur kontrollin e autoriteteve kombëtare.
Analistët paralajmërojnë se kthimi i këtyre luftëtarëve në Ballkan mund të rrisë rrezikun e konflikteve paramilitare, rreth 30 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnjë. Sipas analistit politik Sreçko Latal, edhe një numër i vogël ekstremistësh të armatosur mjafton për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në rajon, duke shfrytëzuar pakënaqësitë sociale dhe ekonomike të të rinjve.
Në qytete si Modrica, ku ndikimi rus është i dukshëm edhe përmes investimeve strategjike, komunitetet boshnjake myslimane shprehin frikë se ekstremizmi i rikthyer mund të rihapë plagët e së kaluarës. Banorë lokalë kujtojnë ende mizoritë e luftës dhe shprehen të shqetësuar nga prania e individëve të radikalizuar në zonat e tyre.
Raportimi nënvizon gjithashtu frikën se Republika Srpska mund të shndërrohet në një qendër trajnimi për operacione hibride të mbështetura nga Rusia, të ngjashme me rolin që kishte dikur Gjermania Lindore për grupe ekstremiste evropiane. Dëshmi nga gjyqe të fundit në Moldavi sugjerojnë se stërvitje të tilla kanë përfshirë taktika për destabilizim, përdorim dronësh dhe sabotim të infrastrukturës kritike metoda që tashmë janë vërejtur në disa vende të Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas The Telegraph, këto zhvillime përbëjnë një alarm serioz jo vetëm për Ballkanin, por edhe për sigurinë më të gjerë evropiane, duke treguar se lufta në Ukrainë ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të rrezikshme edhe jashtë kufijve të saj.