“Pemë me çmim floriri” në Durrës: 143 MLN për ALBGARDEN të Pjetër Trashaj

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.12.2025, 19:54

Një tjetër tender i Bashkisë Durrës po ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe përdorimin e fondeve publike. Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Blerje pemë dekorative”, të zhvilluar nga Bashkia Durrës, e drejtuar nga Emiriana Sako.

Sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga JOQ Albania, në tender kanë marrë pjesë vetëm dy operatorë ekonomikë, çka përbën një konkurrencë të cunguar. Fitues është shpallur kompania “Alb Garden”, në pronësi të Pjetër Trashaj, me një ofertë prej 11,956,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 143 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Fondi limit i tenderit ishte 12,500,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 150 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo do të thotë se vlera fituese përbën rreth 95.6% të fondit limit, një raport që, në kushtet e vetëm dy ofertave, forcon dyshimet për një procedurë jo reale konkurruese. Për më tepër, oferta fituese rezulton më e larta nga dy ofertat, me një diferencë prej gati 30 milionë lekësh të vjetra nga operatori tjetër.

Rasti bëhet edhe më problematik për shkak të profilit të kompanisë fituese. Kompania e Pjetër Trashajt përmendet shpesh si një nga përfitueset e mëdha të tenderëve publikë, duke arkëtuar qindra mijëra euro për lule dhe gjelbërim. Në të shkuarën, ajo ka qenë në qendër të kritikave dhe akuzave, përfshirë raste ku djali i Pjetër Trashajt, ish-punonjës në Ministrinë e Mjedisit, ka firmosur tendera ku përfituese rezultonte kompania e të atit. Gjithashtu, Pjetër Trashaj është përmendur edhe si përfitues fondesh nga AZHBR.

Të gjitha këto elemente, pjesëmarrja minimale, oferta pranë fondit limit, zgjedhja e ofertës më të lartë dhe historiku i përfitimeve publike, ngrenë dyshime të forta për një tender abuziv dhe korruptiv, që kërkon verifikim të menjëhershëm nga organet përgjegjëse. Transparenca dhe llogaridhënia mbeten jetike, sidomos kur bëhet fjalë për përdorimin e parave të qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit