JOQ Albania ka siguruar detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Qafën e Llogarasë, ku një person u gjet i pajetë brenda një automjeti të përfshirë nga flakët.
Sipas informacioneve paraprake, një nga pistat kryesore që po hetohet nga autoritetet është ajo e vetëvrasjes. Dyshohet se viktima fillimisht është lyer me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën vetes brenda automjetit.
Burime bëjnë me dije se viktima dyshohet të jetë rreth 35 vjeç, banues në Berat dhe ish-efektiv policie. Megjithatë, identifikimi zyrtar i tij ende nuk është kryer, pasi po pritet mbërritja e familjarëve për konfirmimin e identitetit. Po ashtu, raportohet se ai vuante nga depresioni.
Nga verifikimet e kryera deri më tani, policia ka kontrolluar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth zonës dhe ka konstatuar se viktima ka qenë i vetëm në momentin kur ka hyrë në zonën e Llogarasë.
Ngjarja është konstatuar fillimisht nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar policinë pasi ka vënë re një automjet që po digjej.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të konfirmojnë ose rrëzojnë zyrtarisht pistën e vetëvrasjes, pas përfundimit të të gjitha procedurave hetimore.