Kryeministri Edi Rama u shfaq ditën e sotme në një takim me fermerët e qarkut Elbasan, ku foli me superlativa për arritjet e qeverisë në sektorin e bujqësisë, duke theksuar rritjen e eksporteve bujqësore. Sipas Ramës, eksportet kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë mandateve të qeverisë së tij dhe këtë vit pritet të afrohen në nivelin e gjysmë miliard eurove.
“Tre mandatet kur eksportet kanë filluar të rriten duke kapur një vlerë që këtë vit, vetëm në 9-mujorin e parë, është më e lartë sesa vlera e vitit të shkuar, duke u afruar të përmbushim gjysmë miliard euro eksporte”, deklaroi Rama.
Megjithatë, deklaratat e kryeministrit bien në kundërshtim me të dhënat zyrtare të INSTAT, të cilat tregojnë se sektori bujqësor vijon të jetë në rënie dhe në krizë të vazhdueshme. Sipas INSTAT, edhe në tremujorin e dytë të vitit 2025 (prill–maj–qershor), bujqësia kontribuoi negativisht në ekonomi, duke shënuar një rënie prej 0.46%.
Bujqësia, si një nga sektorët më të rëndësishëm prodhues të ekonomisë shqiptare, po vazhdon të ketë një ndikim negativ në rritjen ekonomike, çka hedh dyshime mbi vlerën reale të statistikave të paraqitura nga kryeministri, të cilat kritikët i konsiderojnë më shumë propagandë sesa pasqyrim të situatës reale në terren.
Sektori bujqësor është goditur rëndë vitet e fundit nga emigrimi masiv, politikat fiskale të konsideruara të pafavorshme dhe korrupsioni qeveritar, i cili i privoi fermerët shqiptarë nga fondet e Bashkimit Europian. Shqipëria ndodhet prej më shumë se dy vitesh pa mbështetjen financiare të programit IPARD, instrumenti kryesor i BE-së për zhvillimin rural në vendet kandidate.
Mungesën e fondeve IPARD, kryeministri Rama deklaroi se synon ta kompensojë përmes skemave kombëtare të mbështetjes nga buxheti i shtetit, duke premtuar se të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti, pavarësisht se nga mbyllja e vitit 2025 kanë mbetur vetëm pak ditë.
“Vetëm në skemën kombëtare shkojmë me një buxhet që është dyfishi i vitit që po përfundon. Sa i takon skemës direkte, të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti, 100%”, tha Rama.
Kujtojmë se në gusht të vitit 2023, Komisioni Europian ndërpreu financimet IPARD për Shqipërinë, pas hetimeve të kryera nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), të cilat konstatuan raste korrupsioni, favorizimesh dhe ndërhyrjesh politike në zbatimin e skemës IPARD II.