Një qytetare i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar hapur kushtet e vështira në spitalin e Përmetit, duke theksuar se situata duket si “500 vjet mbrapa”.
Ajo ka treguar se para pak ditësh ka shtruar nënën e saj në këtë spital, por kushtet janë jashtëzakonisht të këqija.
Sipas qytetares, spitali nuk ka ngrohje, komodinat janë të prishura dhe nuk ka dyshekë të përshtatshëm. Pacientët përdorin vetëm një sfungjer të hollë dhe të pambuluar, që e bën shtrimin shumë të pakëndshëm, duke shkaktuar dhimbje tek pacientët.
Ajo gjithashtu ka denoncuar mungesën e kondicionerëve duke deklaruar se vetëm kati i dytë, ku ndodhen zyrat e administratës, ka kondicionerë, ndërsa katet e tjera janë në mëshirë të fatit. Qytetarja i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin urgjent të kushteve në spital pasi jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë në spital privat.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje JOQ! Ne spitalin e Permetit jemi kthyer 500 vjet mbrapa....kam te shtruar mamin ne kete spital dhe mezi po presim te dalim se kushtet jane skandaloze...nuk ka ngrohje, komodina e prishur dhe s'ka dysheke..ne vend te dyshekeve eshte vetem nje sfungjer i holle dhe i pambuluar (i dhembin kockat e brinjet mamit).. Po te shihni foton me poshte, vetem kati i dyte ka kondicioner, sepse ne kat te dyte jane zyrat e administrates. Katet e tjera jane pa kondicioner.