Një tjetër rast i ushtrimit të prostitucionit është zbuluar në Durrës ku në pranga kanë rënë dy shtetase kolumbiane, ndërsa gjashtë shqiptarë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Si rezultat i ndërhyrjes, në lagjen nr. 1, rruga “Taulantia”, në zonën e Vollgës, u arrestuan në flagrancë shtetaset J. C., 23 vjeçe, dhe M. A., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Kolumbi. Dy të rejat ushtronin prostitucionin në një apartament të marrë me qira në këtë zonë.
Gjatë kontrollit në apartament, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe 10 formularë dërgesash monetare, me një vlerë totale prej 15 093 euro, të transferuara drejt familjarëve të tyre në Kolumbi brenda një periudhe 20-ditore.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas shqiptarë, banues në Durrës, Shijak dhe Kavajë, për veprën penale “Prostitucioni”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.