Një qytetare denoncon ndotjen shqetësuese pranë një burimi uji të pijshëm në aksin Shkopet–Burrel, ku shumë banorë, kryesisht nga zonat Kurbin dhe Milot, furnizohen me ujë. Sipas saj, ambienti përreth është i mbushur me mbeturina të hedhura nga qytetarë të papërgjegjshëm, duke e kthyer zonën në një rrezik për shëndetin dhe një pamje turpëruese për këdo që kalon aty, përfshirë turistë dhe udhëtarë që mund të kenë nevojë për ujë.
Ajo thekson se Bashkia e Matit pastron çdo fund muaji aksin rrugor, por mbeturinat nuk hidhen nga banorët e Matit, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim qytetar. “Mbeturinat duhen hedhur në kosh dhe ambienti duhet mbajtur i pastër kudo që ndodhemi”, shprehet ajo, duke kërkuar që ky mesazh të përcillet përmes JOQ tek çdo person që e ndien veten qytetar dhe njeri.
"Përshëndetje JOQ, meqë jeni media që e dërgoni lajmin në çdo telefon të shqiptarëve, kisha një dëshirë si qytetare ta bënit lajm për njerëzit, sepse ata janë problem në këtë shqetësim. Ky burimi ndodhet në aksin Shkopet–Burrel dhe këtu mbushin ujë të pijshëm shumë njerëz, kryesisht të zonave Kurbin, Milot. Shqetësuese është fakti që këta njerëz, kur drekojnë, a e pastrojnë tavolinën dhe shtëpinë e tyre apo e lënë kështu me mbeturina siç e kanë lënë këtu. Turpi i botës, kur do i themi vetes qytetarë, në gjithsecilin mbeturinat e veta te koshi. Të mbahet ambienti pastër. Bashkia e Matit çdo fund muaji pastron gjithë aksin nga mbeturinat e rrugës, por këto mbeturina nuk i hedhin qytetarët e Matit. Këtu lëvizin turistë, qytetarë të ndryshëm që mbase kanë nevojë për pak ujë. A mund të pihet një ujë kur ambienti përreth tij është toksik nga mbeturinat? Desha që nëpërmjet jush ta përcjellim këtë lajm tek gjithsecili që e ndien veten qytetar dhe njeri: mbani ambientin pastër kudo që jeni, punoni dhe kryeni nevoja familjare. Faleminderit JOQ", shkruan qytetarja për JOQ