Rëndohet bilanci nga sulmi terrorist në Australi: Shkon në 16 numri i viktimave, mes tyre dhe një fëmijë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.12.2025, 21:30

Është rënduar bilanci i viktimave nga sulmi terrorist i ndodhur në plazhin Bondi të Sidneit, gjatë një aktiviteti hebraik për festën e Hanukkah-ut. Autoritetet australiane konfirmuan se numri i të vdekurve ka shkuar në 16, mes tyre edhe një fëmijë.

Sipas Policisë së New South Wales, 14 persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë gjatë natës në spital si pasojë e plagëve të marra. Në total, rreth 40 persona mbetën të plagosur nga sulmi.

Mes viktimave është edhe një vajzë 10-vjeçare, e cila ishte një nga katër fëmijët e transportuar me urgjencë në Spitalin e Fëmijëve në Sidnei. Po ashtu, një burrë 40-vjeçar humbi jetën në spital. Autoritetet bëjnë me dije se viktimat janë të moshave nga 10 deri në 87-vjeç.

Ngjarja është cilësuar zyrtarisht si akt terrorist me prapavijë anti-semitiste. Një nga autorët e dyshuar, një 50-vjeçar, u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje, ndërsa një tjetër, i moshës 24-vjeçare, ndodhet në spital nën ruajtje policore në gjendje kritike. Policia njoftoi se pranë zonës së sulmit janë gjetur edhe mjete shpërthyese artizanale.

Ministri i Shëndetësisë i New South Wales, Ryan Park, deklaroi se mbi 100 infermierë dhe paramedikë u angazhuan në operacionin e emergjencës, duke e përshkruar ngjarjen si “pamjen më të errët të njerëzimit”.

Sulmi në Bondi Beach konsiderohet si masakra më e rëndë me armë zjarri në Australi në 29 vitet e fundit, ndërsa hetimet nga strukturat antiterroriste vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit