Shtëllunga të dendura tymi nga djegia e mbetjeve të rrezikshme çuan në një ndërhyrje të Policisë së Elbasanit në ambientet e shoqërive “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk. Këto subjekte, të licencuara për asgjësimin e metaleve jo-ferrore, baterive dhe plastikës, dyshohet se ushtronin aktivitetin në kundërshtim të plotë me standardet ligjore mjedisore.
Gjatë kontrollit, grupi hetimor konstatoi vatra zjarri aktive dhe mungesë të plotë të zinxhirit teknologjik të detyrueshëm, që përfshin kullën e ftohjes, sistemin e ndalimit të shkëndijave, filtrimin dhe oxhakun. Si pasojë, u arrestuan në flagrancë 16 persona për ndotje të ajrit, tokës dhe ujërave, punësim të paligjshëm, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Mes të arrestuarve janë nëntë shtetas të huaj nga Koreja dhe India, si dhe shtatë shtetas shqiptarë, të punësuar si operatorë furrash, shoferë, administratorë, përgjegjës turni, inxhinierë dhe drejtues prodhimi.
Në pranga përfundoi edhe një punonjës i Bashkisë Elbasan, i dyshuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka raportuar në procesverbale se nuk kishte ndotje mjedisore, ndërkohë që ekspertë të thirrur nga Tirana, pas matjeve me pajisje të specializuara, konstatuan djegie të mbetjeve përtej normave të lejuara.
Policia ka shpallur në kërkim aksionerët e dy kompanive, konkretisht shtetasit Bujar Zogu, Dritan Konica, Faejzo Mecaj, Ilir Londo, Gjergj Bezati, Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka. Ndaj subjekteve janë vendosur dy gjoba administrative me vlerë totale 13 milionë lekë, përkatësisht 3 milionë lekë për njërën kompani dhe 10 milionë lekë për tjetrën, si dhe është urdhëruar pezullimi i aktivitetit deri në përmbushjen e kushteve ligjore.
Sipas Policisë së Elbasanit, djegia e mbetjeve kryhej kryesisht gjatë natës, në qiell të hapur dhe brenda ambienteve të kompanive, prej të paktën dy vitesh, duke shkaktuar ndotje të rëndë dhe pasoja serioze mjedisore jo vetëm në zonën e ish-Metalurgjikut, por edhe në një rreze të gjerë kilometrike.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet qëndrimi i Prokurorisë lidhur me referimin e materialeve nga policia.