Një rast vjedhjeje me dhunë është zbardhur në Tiranë, ku tre persona sulmuan shitësin e një biznesi në zonën e “Kthesës së Kamzës” dhe i morën 100 mijë lekë të rinj. Ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit, ndërsa autorët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës për të marrë paratë.
Nga hetimet është arrestuar njëri prej të dyshuarve, Marash Aliaj, 33 vjeç, ndërsa dy të tjerë, Elton Hunda 35 vjeç dhe Genc Logu 34 vjeç, janë shpallur në kërkim. Aliaj është ndaluar në një rrugë të kryeqytetit, ku sipas njoftimit zyrtar ka kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë arrestimit.
Sipas të dhënave zyrtare, tre të dyshuarit kanë precedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe pronës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për të verifikuar përfshirjen e tyre në ngjarje të tjera të ngjashme.