Një nga operacionet më të mëdha kundër krimeve mjedisore në vitet e fundit është finalizuar nga Policia e Elbasanit.
Djegiet e mbetjeve të ferrokromit, kryer në kundërshtim të plotë me standardet mjedisore dhe që kanë shkaktuar ndotje të konsiderueshme të ajrit dhe ujërave nëntokësore, janë xhiruar nga policia gjatë një operacioni për goditjen e dy kompanive që operonin në mënyrë të paligjshme.
Sipas policisë, aktiviteti i paligjshëm është kryer kryesisht natën, në qiell të hapur dhe brenda ambienteve të kompanive, për rreth dy vite, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore jo vetëm pranë ish-Metalurgjikut, por edhe në zona përreth, me rreze kilometrike.
Burime nga Policia e Elbasanit bëjnë të ditur se sa herë konstatohej tym i rëndë gjatë natës brenda kompanive “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk, autoritetet kanë tentuar ndërhyrjen, por nuk është hapur dera. Pas muajsh mbledhjeje të provave, policia ka ndërhyrë në orët e natës dhe ka kapur në flagrancë punonjësit duke djegur mbetjet e rrezikshme.
Nga operacioni janë arrestuar 16 persona, të cilët akuzohen për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit. Mes tyre janë 9 të huaj dhe 7 shqiptarë.
Mes të arrestuarve janë:
Juncheol Chung (J. C.), 64 vjeç, shtetas korean, administrator
Prakash Kadel (P. K.), 32 vjeç, shtetas nepalez
Shtetas indianë: Rahul Pal, Styend Pal, Munna Singh, Rajesh Yadav, Aaditiya Raj, Dheeraj Kumar, si dhe shtetas të tjerë me funksione teknike dhe operative
Përveç tyre, në kërkim janë shpallur edhe 8 persona, aksionarë të dy kompanive, të cilët akuzohen për ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës, fshehje të të ardhurave, punësim të paligjshëm dhe pastrim parash.
Policia thekson se kompanitë nuk kanë respektuar ligjet mjedisore, duke mos përdorur pajisje filtrimi të detyrueshme, dhe kanë shkelur rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve, duke kontribuar në ndotje masive.
Si pasojë e shkeljeve të konstatuara, autoritetet kanë vendosur gjoba totale prej 13 milionë lekësh, si dhe kanë pezulluar aktivitetin e të dy kompanive deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.