Franca në flakë: Fermerët në protesta masive kundër ekzekutimit masiv të gjedhëve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.12.2025, 10:04

Pas protestave të ashpra në Greqi, ku fermerët kërkuan ndihma dhe mbështetje përballë rritjes së kostove të prodhimit dhe taksave, revolta është përhapur edhe në Francë. Këtë herë, zemërimi i komunitetit bujqësor lidhet me vendimin e autoriteteve për ekzekutimin masiv të gjedhëve, pas shpërthimit të një epidemie virale që ka vënë në alarm sektorin blegtoral.

Në jugperëndim të Francës, fermerët dolën në rrugë, bllokuan autostrada me traktorë dhe i vunë flakën dengjeve me kashtë dhe gomave, në shenjë proteste kundër eliminimit të të gjithë tufave ku konstatohet qoftë edhe një rast i sëmundjes së dhermës së lëkurës tek gjedhët (lumpy skin disease).

Sipas gazetës Le Monde, përplasjet më të ashpra u regjistruan në qytetin Limoges, ku fermerët hodhën pleh mbi ndërtesat e administratës publike dhe automjetet e policisë. Ndërkohë, të premten, në fshatin Les Bordes-sur-Arize, pranë kufirit me Spanjën, veterinerët shtetërorë eliminuan një tufë me mbi 200 lopë, pasi u konfirmua një rast i vetëm i sëmundjes. Operacioni u zhvillua nën mbrojtjen e policisë, për shkak të rezistencës së fortë dhe përplasjeve me fermerët vendas.

Protestat arritën kulmin të shtunën, kur u bllokuan rreth 150 kilometra të autostradës A64, që lidh qytetet Bayonne dhe Tarbes. Organizatat sindikale bujqësore e kanë cilësuar strategjinë e qeverisë si “çmenduri të pastër” dhe kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave dhe bllokime të tjera në mbarë Francën në ditët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit