Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas sulmit të përgjakshëm ndaj një autokolone të forcave amerikane dhe siriane në Siri, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën tre të tjerë.
“Është një sulm i ISIS-it”, deklaroi Trump, duke iu referuar pritës së armatosur ndaj konvojit pranë qytetit të Palmirës, në Sirinë qendrore. Sulmi rezultoi fatal për dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
Në një postim në rrjetin social Truth, presidenti amerikan shprehu ngushëllimet për viktimat dhe paralajmëroi hakmarrje:
“Ne vajtojmë humbjen e tre amerikanëve të shkëlqyer, dy ushtarë dhe një përkthyes. Lutemi për shërimin e tre të plagosurve, për të cilët jam informuar se janë në gjendje të mirë. Ky ishte një sulm i ISIS-it kundër SHBA-së dhe Sirisë, në një zonë jashtëzakonisht të rrezikshme. Do të hakmerremi.”
Më herët, dy zyrtarë sirianë i thanë agjencisë Reuters se autokolona e përbashkët e forcave siriane dhe amerikane, pjesë e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër ISIS-it, u sulmua me armë zjarri.
Zyrtarë amerikanë konfirmuan se delegacioni amerikan ndodhej në Palmira për një mision mbështetës të operacioneve të vazhdueshme antiterroriste kundër Shtetit Islamik në rajon.
“Sulmi është aktualisht nën hetim”, bëri të ditur Parnell, duke shtuar se autoritetet po analizojnë rrethanat dhe përgjegjësit e ngjarjes.