Në një kohë kur shpeshherë raportohen vetëm problematika dhe përplasje mes qytetarëve dhe institucioneve, ndodhin edhe gjeste të vogla që meritojnë të vihen në pah.
Një veprim i tillë është regjistruar në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, ku një efektiv i Policisë Rrugore është filmuar teksa i vjen në ndihmë dy zonjave, automjeti i të cilave kishte pësuar një defekt dhe kishte mbetur në mes të rrugës.
Siç shihet edhe në pamje, efektivi nuk është mjaftuar vetëm me orientim apo sinjalizim, por e ka shtyrë makinën për më shumë se 200 metra, deri sa e ka futur në një zonë të sigurt, duke shmangur rrezikun për qarkullimin.
Sipas qytetarit që ka dërguar videon në redaksinë e JOQ Albania, situata ka qenë delikate, pasi automjeti kishte mbetur në një segment të ngarkuar siç është autostrada, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e policit ka ndihmuar që gjithçka të mbyllet pa probleme dhe pa krijuar rrezik për drejtuesit e tjerë.
Pamje të tilla tregojnë se, përtej uniformës dhe detyrës, ka edhe përkushtim njerëzor në shërbim të qytetarëve, sidomos në situata të papritura në rrugë.
Një gjest i thjeshtë, por domethënës, që sipas qytetarit meriton respekt.
Kjo është policia që duam!