Pak orë pasi JOQ Albania publikoi denoncimin e mbërritur në redaksinë tonë për një arratisje të dyshuar të ndodhur në Burgun e Shënkollit në Lezhë, institucioni në fjalë u detyrua të reagojë publikisht, duke konfirmuar se ngjarja kishte ndodhur, por duke e cilësuar atë si “tentativë për largim” dhe jo arratisje.
Fillimisht, një punonjës i këtij institucioni i ishte drejtuar redaksisë sonë duke pretenduar se një i burgosur ishte larguar nga ambientet e burgut gjatë kohës që ndodhej jashtë rrethimit për punë, ndërsa stafi, sipas tij, po mbahej nën presion për të mos folur dhe ngjarja po mbahej e fshehtë. Ky denoncim u publikua nga JOQ Albania dhe ngjalli reagim të menjëhershëm publik.
Vetëm pas këtij publikimi, drejtuesit e IEVP Lezhë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dolën me një reagim zyrtar, ku konfirmuan se rreth orës 09:30 kishte ndodhur një tentativë largimi nga ambientet e institucionit nga një person ndaj të cilit ishte caktuar masa mjekësore “mjekim i detyruar në institucion mjekësor”, por sipas tyre ai ishte kapur dhe neutralizuar brenda pak minutash, pa incidente dhe pa rrezik për komunitetin.
Megjithatë, pas këtij reagimi zyrtar, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një tjetër denoncim, kësaj here nga burime të brendshme nga burgu i Shënkollit, të cilat ngrenë akuza shumë më të rënda dhe problematike, që shkojnë përtej vetë episodit të 'tentativës së arratisjes'.
Sipas këtyre burimeve, personat që ndodhen në këtë institucion janë pacientë me masa mjekësore dhe, sipas ligjit, nuk lejohet që të angazhohen në punë fizike. Burimet pretendojnë se nxjerrja e tyre jashtë perimetrit për “pastrim territori” përbën shkelje ligjore, ndërsa ngrihen dyshime se aktiviteti nuk ka pasur të bëjë realisht me pastrim, por me grumbullim materialesh metalike (skrap) për përfitime personale të shefit të policisë së burgut, Sokol Lleshi.
Po sipas pretendimeve të burimeve për JOQ Albania, ky aktivitet është shoqëruar nga drejtues të policisë së burgut dhe se mungesa e një grupi funksional sigurie brenda institucionit ka krijuar terren për ngjarjen e ndodhur. Ata pretendojnë se struktura e sigurisë është cënuar, grupet e ndërhyrjes janë shpërbërë dhe efektivët janë shpërndarë në shërbime të tjera, duke lënë institucionin pa mekanizmat bazë të reagimit në raste emergjente.
Burimet e brendshme ngrenë gjithashtu shqetësime serioze mbi menaxhimin e përgjithshëm të sigurisë në Burgun e Shënkollit, duke pretenduar se ka pasur lëvizje dhe transferime të stafit që kanë dobësuar ndjeshëm kontrollin dhe reagimin në raste të ngjashme, çka sipas tyre përbën rrezik si për stafin, ashtu edhe për komunitetin.
Nga ana tjetër, në reagimin e tyre zyrtar, si drejtoria e burgut ashtu edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve theksojnë se IEVP Lezhë është institucion mjekësor i posaçëm, ku zbatohen masa sigurie të diferencuara për pacientë dhe jo për të dënuar apo të paraburgosur, duke shtuar se menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar prokuroria, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe strukturat përkatëse për ndjekjen e procedurave ligjore.
Burimet e brendshme për JOQ Albania kundërshtojnë reagimin zyrtar të institucionit, duke pretenduar se në IEVP Shënkoll nuk ka më të burgosur, por vetëm persona ndaj të cilëve është caktuar masa “mjekim i detyruar”, të ardhur nga e gjithë Shqipëria me vendim gjykate. Sipas tyre, ky institucion funksionon ekskluzivisht si një strukturë mjekësore e posaçme, ndërsa persona të tillë nuk lejohen ligjërisht të angazhohen në asnjë formë pune fizike jashtë apo brenda perimetrit.
Megjithatë, fakti që reagimi zyrtar erdhi vetëm pas publikimit të denoncimit nga JOQ Albania, si dhe akuzat e rënda të ngritura nga burime të brendshme, ngrenë pikëpyetje serioze mbi transparencën, menaxhimin dhe respektimin e ligjit në këtë institucion.
JOQ Albania thekson se të gjitha akuzat e ngritura nga burimet e brendshme janë pretendime, të cilat kërkojnë verifikim të plotë nga organet kompetente. Redaksia jonë do të vijojë ta ndjekë këtë çështje dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë në mënyrë të thelluar çdo dyshim për shkelje ligji, abuzim me detyrën apo rrezikim të sigurisë publike.