Një aksident i katërfishtë ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Shkodër–Lezhë, në afërsi të fshatit Beltojë.
Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga policia, rreth orës 16:30, në këtë segment rrugor janë përplasur tre automjete, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar një nga drejtuesit e mjeteve, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe, fatmirësisht, është jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, qytetarë që ndodheshin në vendngjarje, të cilët kanë dërguar pamje në redaksinë tonë, pretendojnë se në aksident kanë qenë të përfshira katër mjete, e jo tre, siç thuhet në njoftimin e Policisë.
Në pamje shihen qartë automjetet e dëmtuara, ndërsa pritet që hetimet e plota të sqarojnë numrin e saktë të mjeteve dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e ngjarjes.