Dëmtimet vazhdojnë të jenë armiku kryesor i Armando Brojës, një talent i jashtëzakonshëm që po kalon një periudhë tepër të vështirë në karrierë, me më shumë kohë në infermieri sesa në fushë. Sulmuesi kuqezi, dikur lojtari me vlerën më të lartë në Kombëtare, ka parë rënien e ndjeshme të kartonit të tij në tregun e transferimeve.
Sipas përditësimit të fundit të “Transfermarkt”, Broja aktualisht vlerësohet 10 milionë euro, një shifër që reflekton vështirësitë e fundit. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, vlera e tij ka pësuar një tjetër goditje, duke rënë me 4 milionë euro. Kulmi i karrierës për sa i përket vlerës në treg erdhi në vitin 2022, kur ishte pjesë e Çelsit dhe vlerësohej plot 30 milionë euro.
Në atë kohë, besimi i madh i klubit londinez dhe çmimi i lartë i kartonit u shndërruan në një pengesë për ekipet e interesuara për shërbimet e tij. Ndërkohë, dëmtimet e shpeshta nisën të rëndonin gjithnjë e më shumë mbi karrierën e Brojës, duke bërë që brenda tre vitesh vlera e tij të humbiste rreth 20 milionë euro.
Që nga viti 2023, sulmuesi shqiptar ka ndërruar tre skuadra, duke u aktivizuar me Fulhamin, Evertonin dhe së fundmi me Bërnlin, në përpjekje për të rilindur dhe për të gjetur vazhdimësinë e munguar.