Kryeministri Edi Rama i kërkoi Gjykatës Kushtetuese rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, duke u ankuar se pezullimi i saj nga GJKKO kishte bllokuar qeverinë dhe po dëmtonte interesat e shtetit. Sipas tij, zinxhiri i vendimmarrjes ishte këputur dhe një nga pasojat më të rënda ishte ngecja e marrëveshjes me Kanadanë për transportin ajror.
Sipas tij, pa Ballukun, shteti nuk punonte dhe avionët mbeteshin në pistë. Por, para se Kushtetuesja të merrte vendimin për rikthimin e ministres, Rama gjeti zgjidhjen emergjente. Të premten, pak para se GJ.K të vendosë për Ballukun, Rama firmosi vetë Marrëveshjen në Parim me Kanadanë, duke treguar se marrëveshja që thuhej se ishte e bllokuar, në fakt priste vetëm një firmë.
![]()
Pra, ajo që u paraqit si krizë kombëtare, u zgjidh brenda pak orësh, pa qenë nevoja që Balluku të ishte në zyrë. Kështu, argumenti se pezullimi i ministres rrezikonte interesat shtetërore bie vetvetiu. Rama provoi se mund të nënshkruajë, të vendosë dhe t’i ngrejë avionët edhe i vetëm. Në fund, Belinda u rikthye në detyrë, marrëveshja u firmos dhe mbeti vetëm ironia, qeveria qenka e bllokuar vetëm kur i leverdis politikisht.
Për ditë me radhë, Rama i tha popullit dhe drejtësisë së kapur se pa ministren e Infrastrukturës nuk lëvizte asnjë letër, ndërkohë që po ai tregoi se zinxhiri vendimmarrës nuk ishte aspak i këputur, thjesht po mbronte Belindën. Kushtetuesja vendosi se pezullimi i Ballukut dëmtonte interesat shtetërore, ndërsa Rama dëshmoi se puna e MEI ecën dhe pa të.
Me pak fjalë, avionët u ngritën, marrëveshja u firmos dhe u kuptua se kriza ishte më shumë për propagandë që Balluku të marrë detyrën dhe të rikthehet në zyrë, sesa për qeverisje. Siç duket, kur do kryeministri, mund të bëhet edhe ministër, edhe pilot pa nevojën e Ballukut në zyrë.