Një tjetër rast i ushtrimit të prostitucionit në një apartament me qira është zbuluar në Durrës, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Policia ka arrestuar dy shtetase kolumbiane, të dyja 26 vjeçe, të cilat dyshohet se e kishin përshtatur ambientin për këtë veprimtari, ndërsa ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për një 22-vjeçar nga Burreli.
Gjatë kontrollit të apartamentit, uniformat blu sekuestruan shuma parash në lekë dhe valutë të huaj, tre aparate celularë, një bllok shënimesh, disa karta SIM si dhe pasaportat e dy shtetaseve të huaja. Sipas hetimeve, apartamenti ishte marrë me qira prej tyre dhe përdorej posaçërisht për ushtrimin e prostitucionit.
Ky aksion u zhvillua në kuadër të fazës së 11-të të operacionit policor të koduar “Storm”, që synon goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e prostitucionit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.