Prej disa ditësh, fermerët në Greqi po vijojnë protestat në shenjë pakënaqësie ndaj politikave qeveritare dhe vështirësive ekonomike në sektorin bujqësor. Si pasojë e këtyre protestave, edhe këtë të shtunë, më 13 dhjetor, do të bllokohet aksi rrugor Kakavijë–Janinë.
Policia Kufitare Kakavijë njoftoi se, bazuar në informacionin e marrë nga Policia Kufitare Greke përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit, bllokimi do të ndodhë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, sipas orës greke.
Gjatë këtij intervali kohor, qarkullimi do të lejohet vetëm për automjetet me emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe këshillon planifikimin e udhëtimeve në orare të tjera të ditës.
Protestat e fermerëve kanë nisur prej javësh dhe pritet të kenë pjesëmarrje të gjerë. Sindikatat dhe koordinatorët lokalë janë angazhuar në organizimin e aksioneve protestuese në mbarë Greqinë, duke kërkuar politika më të favorshme për bujqësinë dhe përmirësimin e kushteve ekonomike për fermerët.