Autoritetet greke në alarm: Dhuruesi danez i spermës i lidhur me dhjetëra raste kanceri tek fëmijët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.12.2025, 09:30

Autoritetet shëndetësore në Greqi janë vënë në gjendje alarmi pas zbulimit se një dhurues danez sperme lidhet me dhjetëra raste kanceri tek fëmijë të lindur përmes fekondimit artificial. Sipas të dhënave zyrtare, nga materiali gjenetik i këtij dhuruesi kanë lindur 18 fëmijë në Greqi, disa prej tyre brenda të njëjtave familje, duke tejkaluar kufijtë e lejuar me ligj për numrin e lindjeve nga një donator i vetëm.

Një mjek ka deklaruar për mediat greke se një fëmijë i moshës 5–10 vjeç ka humbur jetën së fundmi si pasojë e kancerit. Ai ishte pjesë e një familjeje me tre fëmijë, të gjithë të lindur nga i njëjti dhurues. Tragjedia vijon, pasi edhe një tjetër fëmijë i së njëjtës familje është diagnostikuar me kancer dhe po i nënshtrohet trajtimit, ndërsa mjekët shprehen pak optimistë për gjendjen e tij shëndetësore.

Pas analizave të specializuara shkencore, autoritetet greke kanë konstatuar se fëmijët mbartnin një mutacion jashtëzakonisht të rrallë në gjenin TP53, i cili rrit ndjeshëm rrezikun për forma agresive të kancerit në moshë të vogël. Ky mutacion nuk ishte zbuluar gjatë kontrolleve fillestare të dhuruesit, pasi rezulton të ketë qenë i pranishëm vetëm në një pjesë të spermatozoideve të tij.

Rasti nuk kufizohet vetëm në Greqi. Në të gjithë Europën, i njëjti dhurues danez dyshohet se ka sjellë në jetë të paktën 197 fëmijë në 14 vende të ndryshme, përmes dhjetëra klinikave të fertilitetit. Deri më tani, 77 fëmijë janë testuar dhe 25 prej tyre rezultojnë mbartës të mutacionit gjenetik, ndërsa disa kanë ndërruar jetë në moshë shumë të hershme.

Ekspertët e shëndetit publik flasin për një dështim serioz të sistemit të kontrollit, duke theksuar mungesën e koordinimit mes vendeve të Bashkimit Europian, ligje të ndryshme për kufizimin e dhurimeve dhe një industri të fertilitetit shumë fitimprurëse, por me mbikëqyrje të pamjaftueshme.

Ndërkohë, në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ende asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë rast, se cilat klinika private të fertilitetit në vend kanë përdorur spermën e këtij dhuruesi danez. Heshtja institucionale ka ngritur shqetësime për transparencën dhe sigurinë e praktikave të fekondimit artificial në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit