Vodhën 210 mijë euro energji elektrike për “shtëpitë e barit”, shkatërrohet grupi shqiptar në Spanjë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.12.2025, 22:21

Policia spanjolle ka finalizuar një operacion të madh antidrogë në provincën e Zaragozës, duke çmontuar një grup kriminal shqiptar që merrej me kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura. Pas kontrolleve të kryera paralelisht në disa zona, autoritetet kanë arrestuar nëntë persona dhe kanë sekuestruar mbi 2 mijë bimë kanabis, si edhe rreth 20 kilogramë lëndë narkotike të gatshme për treg.

Sipas policisë, plantacionet funksiononin duke vjedhur energji elektrike nga rrjeti publik, një sasi që llogaritet të vlejë rreth 210 mijë euro, sa konsumi vjetor i mbi 250 familjeve.

Hetimet kishin nisur që në shtator 2024 nga Garda Civile, pasi dyshime u ngritën për disa magazina industriale të kthyer në laboratorë të brendshëm për kultivimin e drogës. Aktiviteti i grupit ishte ndërprerë për një periudhë, pasi drejtuesit kryesorë ishin rikthyer në Shqipëri, por u rihap sërish në verën e vitit 2025, me magazina të përshtatura posaçërisht për kultivim intensiv.

Më 2 dhjetor, policia zhvilloi tetë kontrolle njëkohësisht në Cuarte de Huerva, San Mateo de Gállego, La Puebla de Alfindén, Zuera dhe në disa banesa në Zaragozë. Aty u gjetën ambiente të sofistikuara me ndriçim artificial, panele elektrike të lidhura ilegalisht, si edhe dhoma të ndara sipas fazave të rritjes së bimës.

Në disa prej këtyre hapësirave, policia gjeti persona që jetonin brenda, me detyrë të kujdesnin 24 orë për plantacionet për të shmangur çdo lloj zbulimi.

Hetimet kanë zbuluar se grupi funksiononte me një strukturë të mirëorganizuar. Kreu i rrjetit, me banim në Zaragozë, ishte përgjegjës për logjistikën dhe financat, ndërsa poshtë tij vepronin persona të ngarkuar me transportin, furnizimin dhe shpërndarjen. Në nivelin më të ulët ishin kujdestarët e plantacioneve, ndërsa për të fshehur aktivitetin, rrjeti përdorte individë të tjerë për marrjen me qira të magazinave dhe automjeteve, duke krijuar fasadën e bizneseve të ligjshme.

Të arrestuarit, të moshës 21 deri në 46 vjeç, janë paraqitur në gjykatë më 4 dhjetor dhe akuzohen për kultivim dhe trafik narkotikësh, vjedhje të energjisë elektrike, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe, për dy prej tyre, falsifikim dokumentesh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit