Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” në Vlorë, ku një nxënës u plagos me thikë gjatë një sherri mes adoleshentëve. Një prej nxënësve goditi shokun e tij tre herë, duke i shkaktuar prerje në dorë që kërkuan tre qepje.
Burime ekskluzive për JOQ Albania bëjnë me dije se incidenti u parandaluar nga stafi i shkollës, ndërsa nxënësi i lënduar u dërgua menjëherë në spital nga një prej mësuesve. Pas ngjarjes, u zhvillua një takim me prindërit e fëmijëve, në prani të drejtoreshës dhe të plotëfuqishmit të zonës. Adoleshentët e përfshirë në ngjarje sipas denoncimit janë djem policash.
Prindërit shprehin shqetësim të thellë, duke denoncuar mungesën e oficerëve të sigurisë brenda shkollës dhe duke akuzuar drejtuesit për përpjekje për të manipuluar ngjarjen. Ata theksojnë se përparësia duket se është ruajtja e imazhit të shkollës, jo siguria e fëmijëve.
Policia, në një deklaratë zyrtare, e përshkroi incidentin si një “lojë mes fëmijëve”, ku një prej tyre u dëmtua lehtë me një send metalik të marrë nga dhoma e sanitares. Sipas prindërve, ky version minimizon seriozitetin e ngjarjes dhe nuk adreson mungesën e masave të sigurisë në shkollë.
Ngjarja ngre pyetje të mëdha mbi menaxhimin e sigurisë në shkollat shqiptare dhe mbi përgjegjësinë e drejtuesve për jetën e fëmijëve. Deri kur do të lejohet që shkollat të funksionojnë pa masa të mjaftueshme sigurie, ndërsa fëmijët rrezikojnë çdo ditë për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm?