Shqiptarët “i grabit” edhe KLGJ, Ilir Rusi jep 1.2 milion euro në tenderin abuziv

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.12.2025, 21:06

Këshilli i Lartë Gjyqësor, institucioni që duhet të garantojë drejtësi dhe integritet, po përfshihet vetë në një tender që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën si menaxhohen paratë publike. Nën drejtimin e Ilir Rusit, KLGJ ka zhvilluar një procedurë të hapur për objektin “Blerje pajisje elektronike F-V”, me një fond limit prej 100,400,000 lekësh pa TVSH, rreth 1.24 milionë euro me TVSH.

Fitues është shpallur kompania PC STORE, në pronësi të Elton dhe Vitator Mehmeti, me një ofertë prej 96,595,000 lekësh pa TVSH, pra pothuajse 96.2% të fondit limit. Me TVSH, vlera shkon në rreth 1.2 milionë euro.

Nga verifikimi i dokumentacionit të siguruar nga JOQ Albania, rezulton se në tender kanë marrë pjesë 6 kompani. Por tre prej tyre kanë paraqitur ofertë zero lekë, një praktikë e njohur e garimit fiktiv vetëm për të plotësuar numrin minimal dhe për t’i hapur rrugë fituesit të paracaktuar.

Nga 3 ofertat reale të mbetura, KLGJ ka zgjedhur pikërisht ofertën më të lartë, atë të PC STORE. Pra, ndryshe nga logjika e prokurimit publik ku synohet vlera më e favorshme, institucioni më i lartë i qeverisjes së gjyqësorit ka zgjedhur ofertën që konsumon gati të gjithë fondin.

Kjo situatë është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se bëhet fjalë për vetë KLGJ-në, organ që duhet të jetë shembull në zbatimin e ligjit, transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik. Por praktikat e tenderimit tregojnë të kundërtën: pjesëmarrje fiktive, zgjedhje të ofertave më të shtrenjta dhe konsumin maksimal të fondit.

Ndërkohë që qytetarët paguajnë taksa dhe sistemi i drejtësisë kërkon besim publik, vetë drejtuesit e tij po menaxhojnë miliona euro përmes procedurave që lënë hapur dyshime të forta për abuzim.

Për një institucion që predikon integritet, ky tender është provë e hidhur e asaj që ndodh në prapaskenë: drejtësia kërkohet te gjyqtarët, por humbet te tenderat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit