Mësuesit denoncojnë: Kemi 13 muaj pa marrë pagesën e vështirësisë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.12.2025, 21:47

Një grup mësuesish nga Shkodra që punojnë në Vaun e Dejës i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me mosmarrjen e pagesës së vështirësisë për një periudhë prej 13 muajsh, si dhe për mospërputhjet në vlerën e pagesës së dhënë së fundmi.

Sipas denoncimit, mësuesit thonë se pas njoftimeve të sindikatave se çështja ishte zgjidhur, ata kanë marrë vetëm pagesën e vështirësisë për muajin nëntor, por në një vlerë më të ulët se ajo që parashikohet me VKM pas rritjes së pagave në korrik 2024.

Sipas tyre, në vend që të përfitonin 2,700 lekë në muaj, shuma e përcaktuar për mësuesit që punojnë mbi 5 km larg vendbanimit, atyre u janë paguar vetëm 1,500 lekë, vlera e vjetër përpara ndryshimeve të vitit 2024.

Mësuesit shprehen të pakënaqur edhe për mënyrën e komunikimit të sindikatave, pasi sipas tyre, njoftimet e dhëna nuk kanë qenë të plota dhe kanë krijuar konfuzion për muaj të tërë.

Në denoncimin e tyre, ata thonë:

“Kemi marrë vetëm pagesën e vështirësisë për nëntorin dhe vetëm 1,500 lekë, kur sipas VKM pas rritjes së pagave duhet të jetë 2,700 lekë. Sindikatat na kanë thënë se çështja ishte zgjidhur, por realiteti është ndryshe. Kërkojmë transparencë dhe sqarim zyrtar për të gjithë periudhën 13-mujore të papaguar.”

Sipas mësuesve, kur ata kanë kërkuar llogari te Sindikata e Pavarur, u është kthyer kjo përgjigje:

“Këto janë paguar me VKM-në e mëparshme, sipas urdhrit të DRAP Lezhë. Është paguar nëntori dhe do të paguhen edhe shtatori, tetori dhe dhjetori i këtij viti. Do të diskutohet pagesa për periudhën shtator 2024 – qershor.”

Mësuesit shtrojnë pyetjen se përse po paguhen me VKM të shfuqizuar, duke theksuar se shumë prej tyre udhëtojnë mbi 10 km nga Shkodra drejt shkollave ku punojnë.

Ata kujtojnë se pika 11 e VKM-së përcakton qartë se mësuesit që punojnë mbi 5 km larg vendbanimit duhet të përfitojnë 2,700 lekë në muaj, ndërsa ata që nuk kthehen në banesë brenda ditës përfitojnë 6,000 lekë.

Mësuesit kërkojnë pagesat e prapambetura për 13 muajt e paarkëtuar, vendosjen e saktë të vlerës së vështirësisë sipas legjislacionit në fuqi, si dhe komunikim të qartë dhe korrekt nga sindikatat dhe institucionet përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit