Fshati Griqan i Poshtëm, në njësinë administrative Labinot Fushë, vijon të përballet me një problem serioz infrastrukturor, pavarësisht kërkesave të përsëritura të banorëve drejtuar bashkisë së Elbasanit. Sipas tyre, ndërhyrja e vetme nga institucionet ka qenë vendosja e një tabele sinjalistike, ndërkohë që shqetësimi kryesor sistemimi i rrugës ka mbetur pa zgjidhje. Banorët theksojnë se situata është përkeqësuar pas punimeve të firmës “Vëllezërit Hysa”, e cila gjatë ndërtimit të rrugës ka devijuar kanalin drejt rrugës së fshatit.
Si pasojë, me rikthimin e reshjeve, rruga rrezikon të bëhet e pakalueshme, duke e lënë fshatin praktikisht të izoluar. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia dhe theksojnë se përgjigjja institucionale deri tani, nën drejtimin e kryetarit Gledian Llatja, nuk ka qenë e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit. Ata apelojnë për masa konkrete përpara se situata të përkeqësohet më tej.
"Përshëndetje! Doja të denoncoja një problematik të fshatit Griqan i Poshtëm, njësia administrative Labinot Fushë. Kemi bërë kërkesa të shumta në bashki, por reagimi i bashkisë së Elbasanit me kryetar Gledian Llatja nuk ka qenë i plotë. Solli një tabelë sinjalistike vetëm kaq. Nëse bashkia nuk merr masa për sistemimin e rrugës fshati mbetet i izoluar për shkak të kanalit që firma Vëllezërit Hysa që mori përsipër në ndërtimin e rrugës kaluan kanalin në rrugën e fshatit edhe tani fshati mbetet i izoluar pasi të rikthehen reshjet e shiut", thuhet në denoncim.