Një aksion i zhvilluar nga forcat RENEA në mëngjesin e sotëm në lagjen Dobraç të Shkodrës dhe në Fushë-Kuqe ka përfunduar me arrestimin e dy të kërkuarve nga SPAK, Elvin Merlika dhe Fred Xhixha. Të dy personat konsiderohen pjesë e grupit të Ervis Martinajt, i cili prej rreth tre vitesh rezulton i zhdukur dhe është objektivi kryesor i operacionit “Plumbi i Artë”.
Sipas hetimeve, Elvin Merlika dyshohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes së Indrit Dokles. Emri i tij u përmend në dosjen “Plumbi i Artë” pas deklarimeve të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka treguar se është takuar me Merlikën dhe Xhixhën në Kosovë, ku i është propozuar kryerja e vrasjes së Dokles. Ndërkohë, në nëntor GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Merlikës dhe personave të lidhur me të, duke e konsideruar atë të pabazuar në ligj dhe në prova.
Nga ana tjetër, Fred Xhixha, sipas deklarimeve të Dumanit, dyshohet se ka ndërmjetësuar takimin midis tij dhe Ervis Martinajt, i cili mësohet të ketë kërkuar vrasjen e Indrit Dokles kundrejt një pagesë prej 500 mijë eurosh. Arrestimi i Merlikës dhe Xhixhës konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në vijim të hetimeve për grupin e strukturuar kriminal të lidhur me Martinajn.