Një nënë nga Pogradeci i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, ku pretendon se në kopshtin “Ollga Kërxhalli” janë shpërndarë pako dhuratash për Krishtlindje, brenda të cilave, sipas saj, ndodheshin produkte të vjetra dhe të skaduara. Ajo tregon se pakot janë dhënë falas dhe se supozohet të jenë shpërndarë nga fondacioni “OneHope”, duke shtuar se ngjarja është shqetësuese pasi bëhet fjalë për fëmijë të moshës 2 deri në 6 vjeç.
Në mesazhin e saj, nëna shprehet e tronditur teksa thotë se vajza e saj kishte nisur të konsumonte një çokollatë nga pakoja: “Hapa pakon dhe u shtanga. Kishte produkte të skaduara. Vajza ime po konsumonte një çokollatë, shkova me vrap dhe ia mora nga dora. Kjo është tallje me fëmijët tanë dhe rrezik për shëndetin e tyre.” Ajo shton se askush nga prindërit nuk kishte kërkuar dhurata dhe se një gjest i thjeshtë do të ishte vlerësuar më shumë sesa rrezikimi i fëmijëve.
Sa i përket identifikimit të organizatës, nëna thotë se një nga edukatoret e kopshtit i ka konfirmuar se pakot janë shpërndarë nga i njëjti fondacion, duke theksuar se në ambiente të tilla nuk lejohen persona të paautorizuar. Sipas saj, edhe prindër të tjerë janë ankuar, ndërsa disa kanë verifikuar datat e skadencës në pako.
Nga ana tjetër, denoncuesja thotë se ka kontaktuar vetë me fondacionin “OneHope” përmes WhatsApp-it, por përfaqësuesit e tyre kanë mohuar pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Ata i kanë thënë se dikush mund të ketë përdorur emrin apo logon e tyre pa autorizim dhe se nuk kanë zhvilluar shpërndarje në kopshtin në fjalë. Sipas nënës, ky qëndrim bie ndesh me atë që i është komunikuar nga edukatorja.
Ajo ka vënë në dispozicion foto dhe video, ku duken produktet dhe datat e skadencës.
Duke qenë se bëhet fjalë për një situatë të ndjeshme që prek fëmijë të vegjël, JOQ Albania mbetet e hapur të publikojë çdo reagim zyrtar nga fondacioni “One Hope”, nga drejtoria e kopshtit “Ollga Kerxhalli” apo nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të pasqyrohet edhe versioni i tyre për ngjarjen.