Shumë e shohin si kandidatin ideal për të drejtuar Kombëtaren, e po aq të tjerë e vlerësojnë lart për punën e bërë te Skënderbeu, trofetë e fituar dhe standardet e reja të trajningut që ka vendosur në futbollin shqiptar. Megjithatë, Federata Shqiptare e Futbollit ka një tjetër vlerësim për Ilir Dajën, duke mos e përfshirë atë në listën e katër trajnerëve të nominuar për çmimin “Trajneri i Vitit 2025”, trofe që do të dorëzohet në një ceremoni të veçantë të hënën në mbrëmje, në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Për këtë çmim do të garojnë trajneri i Vllaznisë, Edi Martini; tekniku i Egnatias, Edlir Tetova; trajneri i Bylisit, Mirel Josa; si edhe tekniku i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç.
Pavarësisht se Ilir Daja udhëhoqi Dinamon drejt “Final Four”-it, iu afrua titullit kampion, fitoi Kupën e Shqipërisë me “Blutë” dhe arriti një ecuri të respektueshme në Europë pas 15 vitesh mungesë, FSHF vlerëson se 59-vjeçari nuk ka bërë mjaftueshëm për t’u përfshirë në listë.
Aq më tepër, në këtë listë është përfshirë Mirel Josa, i cili ka vetëm pak muaj në Superligë me Bylisin. Edhe pse Josa njihet për titujt kampion dhe përvojën e tij të gjatë e të respektuar në futbollin shqiptar, ekipi i Bylisit ndodhet në “ujëra të turbullta” pas 15 javësh kampionat.