Inter, ke një problem serioz! Kundër ekipeve të mëdha, bëhesh i vogël. Kështu shkruan La Gazzetta dello Sport, duke renditur arsyet pse zikaltërit duken të pafuqishëm në sfidat e mëdha të Evropës. Juve, Napoli, Milan, Atletico dhe tani Liverpool: ekipi i Chivut nuk ka marrë asnjë fitore të rëndësishme që nga fillimi i sezonit, madje të gjitha i ka humbur. Një bilanc që e bën të vështirë të ndërtosh personalitet në ndeshje të nivelit të lartë.
Polemikat shpërthyen sërish pas penalltisë së akorduar nga gjyqtari gjerman Zwayer në favor të Liverpoolit, por realisht Interi pothuajse nuk u pa në fushë në këtë duel. “Të kuqtë” nuk janë më ekipi i frikshëm i sezonit të kaluar, por edhe Interit i mungoi guximi, intensiteti dhe qartësia që pritej, ashtu siç ndodhi edhe të shtunën kundër një rivali më të vogël. Penalltia ndaj Szoboszlai-t e ndryshoi lojën dhe ritmin, por në fund rezultati ishte i njëjti: Chivu mbylli sërish një ndeshje të madhe pa pikë.
Dhimbja ishte edhe më e thellë për 75 mijë tifozët në “San Siro”, të zemëruar sidomos nga vendimi i arbitrimit. Por përtej episodit, mbetet pyetja kryesore: si ka mundësi që në pesë sfida kundër rivalëve të nivelit të njëjtë, Interi nuk ka marrë asnjë pikë?
Ndërkohë që rrugëtimi në Serie A ka qenë solid, Evropa ka nxjerrë në pah të metat: mungesë cinizmi, mungesë personaliteti dhe një bllokim psikologjik që shpërfaqet pikërisht kur duhet qetësi. Edhe dëmtimet e Calhanoglu dhe Acerbit në pjesën e parë prishën ritmin dhe strukturën e lojës, duke ndikuar ndjeshëm në performancë.
Megjithatë, meqë edhe Liverpooli i Slot nuk rrezikoi shumë dhe nuk e goditi portën me rrezikshmëri, Interi kishte hapësirë dhe kohë për të goditur. Por kjo nuk ndodhi, dhe në ndeshjet e mëdha mungesa e reagimit kushton shtrenjtë.