Pronari i shërbimit online: Adex po na dëmton punën me dërgesa të shkatërruara

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.12.2025, 14:21

Pronari i një biznesi online ka denoncuar shërbimin e postës Adex, duke deklaruar se prej kohësh dërgesat e tij po u shkojnë klientëve të dëmtuara, të grisura, të lagura nga shiu dhe shpesh me produkte të thyera ose të humbura. Ai thotë se pakot nisen të paketuara në mënyrë të rregullt dhe të sigurta, por mbërrijnë në gjendje të papranueshme, duke dëmtuar punën dhe reputacionin e biznesit. Sipas pronarit, të gjitha dëmet janë të dokumentuara me foto, video dhe kode dërgese.

Ai shton se ka kontaktuar çdo zyrë të Adex, por përgjegjësia hidhet nga njëra palë tek tjetra dhe askush nuk ofron zgjidhje. Pronari thekson se as klientëve nuk u përgjigjen në telefon dhe se mesazheve të tij ankues nuk u është kthyer asnjë përgjigje. Ai kërkon që rasti të bëhet publik, me shpresën se ndërgjegjësimi i kompanisë do t’i japë fund kësaj situate dhe dikush do të mbajë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

Denoncim:

Përshëndetje si jeni? Desha të bëj një denoncim për postën Adex, sepse po më prishin punën me këto dërgesat online që çojmë nëpër Shqipëri. Na i çojnë të thyera, pakot e grisura, produktet me baltë e me ujë, sepse i lënë në shi. Nuk di çfarë të them më. I kam kontaktuar të gjitha zyrat, por ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Nuk mban përgjegjësi askush. I kam dhe me fakte, me foto, me kode, me të gjitha. Porositë i kam çuar të sakta, të paketuara mirë te klienti, por na i çojnë të shqyera, të thyera, i lënë në shi e në baltë dhe nuk i plas njeriu fare. Dje më shkruajti një klient, i kishte vajtur e thyer, kam dhe foto. Sot më tha një klient tjetër se i kishin ardhur me ujë dhe me baltë, pastaj lëre që disa aksesorë i kishin rënë rrugës. Këtu shihet pakoja e paketuar para nisjes. Dhe këtu s’kam çfarë të flas, shihet vetë çfarë i kanë bërë. Kush i paguan këto dëme? Kush mban përgjegjësi? Asnjë lloj përgjigjeje. Ju lutem t’i postoni këto materiale që t’i japim një zgjidhje kësaj gjëje, sepse posta s’më përgjigjet. Të gjitha i kam, vetëm më ndihmoni për këtë pjesë, se posta Adex s’më kthen përgjigje fare. Ja çfarë i thonë klientëve këta të Adex: “Fol me faqen që t’i ndërrojmë”, por kush mban përgjegjësi për dëmin? As klientit nuk i përgjigjen në telefon. S’di çfarë të them më. Postojeni këtë rast t’u vijë mend e të ndërgjegjësohen, sepse nga ju ndoshta venë mend, se nga ne s’është se po pyesin shumë, se punëtorë janë, e kanë punën e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit