Dhimitër (Dhimo) Meçi, 45 vjeç, është një nga persona të arrestuar në Athinë pas operacionit të shërbimeve hetimore greke të ashtuquajtura “FBI” greke, nën dyshimin se ishte pjesë e grupit që kreu atentatin ndaj Giannis Lalas në maj 2025. Lalas, i njohur si figurë e botës së krimit në Greqi, u qëllua rreth 40 herë ndërsa udhëtonte me një automjet të blinduar, por mbijetoi falë mbrojtjes së makinës.
Mediat greke raportojnë se Meçi është një emër i njohur për autoritetet dhe se ndër vite është proceduar për vjedhje, grabitje, vrasje, tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Ai është lidhur me disa ngjarje të rënda që datojnë nga fillimi i viteve 2000, përfshirë një vrasje në Athinë në vitin 2004, grabitje të armatosura gjatë periudhës së lejes nga burgu, si dhe dyshime për ekzekutime të porositura në Athinë dhe zonat përreth. Hetuesit grekë pretendojnë se Meçi ka qenë i përfshirë në disa grupe kriminale që operonin në fushën e zhvatjes dhe atentateve me pagesë.
Gjatë viteve të mëvonshme, Meçi u lidh gjithashtu me vrasje të tjera të ndodhura në Athinë, përfshirë identifikimin e tij nga autoritetet në vitin 2018 si i dyshuar për eliminimin e 29-vjeçarit Artin Kato në vitin 2012, një rast që – sipas burimeve të hetimit lidhej me konflikte personale. Arrestimi i tij i fundit në Greqi shoqërohet me sekuestrimin e armëve dhe municioneve të shumta nga policia, ndërsa mbetet e paqartë se si ai kishte arritur të fitonte lirinë pas akuzave të mëdha të së kaluarës.