Një banor i fshatit Barkanesh në Krujë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim të fortë, duke pretenduar se në zonë po kultivohet kanabis dhe se autoritetet nuk kanë ndërhyrë pavarësisht raportimeve të përsëritura.
Denoncuesi thekson se ka dërguar edhe një video, ku sipas tij shfaqet një person i identifikuar si Neki Arben Doku, duke u kujdesur për disa bimë që ai i paraqet si kanabis.
Sipas denoncuesit, Neki Arben Doku “mbrohet nga i vëllai, Oljard Arben Doku, të cilin ai e përshkruan si punonjës policie”. Ai pretendon se pavarësisht denoncimeve në polici “nuk është marrë asnjë masë”, çka sipas tij lidhet me faktin se vëllai i personit të filmuar punon prej vitesh në strukturat e rendit.
Qytetari shprehet se banorët e zonës “ndihen të pambrojtur” dhe se janë nën presion nga dy vëllezërit. Sipas tij, ata “nuk i lejojnë blegtorët të kullosin në një pjesë të territorit”, sepse “është zona ku kultivohet kanabisi”. Ai shton se janë kërcënuar se “do t’u vritet bagëtia” nëse i afrohen parcelave të dyshuara.
Në mesazhin dërguar redaksisë, denoncuesi shprehet:
“Rasti është denoncuar në polici, kam dërguar të gjitha të dhënat dhe videon ku shfaqet personi duke u kujdesur për bimët. Nuk janë marrë masa sepse e mbron vëllai i tij, punonjës policie. Kemi frikë për jetesën tonë, jemi të kërcenuar dhe nuk na lejojnë as të kullosim bagëtinë. Videt i kam dërguar edhe tek AMP, por sipas nesh çështja është mbyllur. Ju lutem na ndihmoni, sepse vetëm tek ju kemi besim.”
Denoncuesi pretendon se personi i filmuar ka qenë “i dënuar më parë për çështje të ngjashme”. Ai thekson gjithashtu se “punonjësi i policisë ka përdorur dron për të kontrolluar zonat ku janë parcelat”.
JOQ Albania sqaron se nuk merr përsipër vërtetësinë e pretendimeve dhe se të gjitha akuzat janë vetëm deklarime të qytetarit që ka bërë denoncimin. Ne jemi të gatshëm të publikojmë reagimin e çdo institucioni apo personi që ndien se është prekur nga këto deklarime.
Qytetari kërkon ndërhyrjen e autoriteteve, duke thënë se i gjithë komuniteti i zonës “ndodhet në pasiguri dhe frikë”.