Pamjet e dërguara në redaksinë tonë, të filmuara në Itali gjatë natës, tregojnë një bashkatdhetar që duket se ka vendosur t’i japë kuptim të ri proverbës “ngjitu lart e kap suksesin”. Vetëm se suksesi, në këtë rast, ndodhet në ballkonin e dikujt tjetër.
Personi shihet teksa ngjitet me qetësi olimpike drejt katit të parë, sikur të ishte në një provim të parkour-it, jo në një tentative vjedhjeje. Në vend të itinerarit klasik punë–shpi, disa individë preferojnë itinerarin shpi–ballkon i huaj, me synim për “karrierë të shpejtë”.
Dhe Italia, që për shumicën është vend i kulturës, artit dhe turizmit, për disa të tjerë duket se shërben si palestër për ushtrime horizontale e vertikale që s’kanë asnjë lidhje me sportin.
Një kujtesë miqësore për bashkatdhetarin:
Këto aftësi ngjitjeje, edhe pse mbresëlënëse, nuk të çojnë as në BE, as në punësim. Maksimumi… në ndonjë zbatim tjetër ligji.
Zonja dhe zotërinj, rikujtesë: jo çdo dritë e fikur është ftesë për “eksplorim”. Ama “skifterat” tanë duket se e lexojnë ndryshe manualin.