Pas Bulqizës, edhe të rinjtë në Durrës thërrasin protestë: “Drejtësi për Erjon Bobën”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.12.2025, 21:51

Pas protestës së djeshme në Bulqizë, valës së reagimeve i janë bashkuar edhe të rinjtë në Durrës, të cilët kanë thirrur një tubim për ditën e nesërme, duke kërkuar drejtësi për 15-vjeçarin Erjon Boba, i cili humbi jetën pak ditë më parë pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar.

Një prej adoleshentëve pjesë e organizimit, mik i Erjonit, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një mesazh të qartë për qytetarët dhe bashkëmoshatarët e tij, duke i ftuar t’i bashkohen protestës së nesërme para Bashkisë së Durrësit, që do të nisë në orën 11:00.

Ai apelon që të rinjtë të largohen nga dhuna dhe konfliktet, duke kërkuar që problemet të zgjidhen me dialog dhe jo me armë apo mjete të rrezikshme. Në videon e dërguar në redaksi, adoleshenti shprehet:

“Përshëndetje JOQ! Nesër në orën 11, më datë 9 dhjetor, do të mblidhemi para Bashkisë Durrës për të kërkuar drejtësi për shokun tonë, Erjon Boba. Ju bëjmë thirrje bashkëmoshatarëve tanë që të mos i zgjidhin konfliktet me dhunë, por nëpërmjet dialogut.”

Thirrja e tyre vjen vetëm një ditë pasi në Bulqizë u zhvillua protesta e paralajmëruar më herët në JOQ, ku të rinjtë kërkuan drejtësi dhe më shumë siguri në shkolla. Shokët e të ndjerit Erjon Boba, me pankarta në duar, apeluan që institucionet të marrin masa konkrete për të parandaluar incidente të ngjashme.

Erjoni ndërroi jetë tragjikisht në QSUT, disa ditë pas plagosjes së rëndë me thikë, gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës. Sipas informacioneve të hetimit, gjithçka nisi pas një debati në rrjetet sociale, që më pas degjeneroi në takim fizik mes tyre. Situata u përshkallëzua deri në përdorimin e thikës, ku 14-vjeçari me iniciale M.K. dyshohet se e goditi disa herë në zonën e gjoksit.

Protesta e nesërme në Durrës pritet të shoqërohet nga një pjesëmarrje e konsiderueshme, ndërsa të rinjtë theksojnë se nuk do të heshtin derisa të ketë drejtësi dhe masa të forta për sigurinë e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit